Libri i Luljeta Selimit "Rrëfime tronditëse - ka 70 faqe, dhe përfshinë 20 rrëfime tronditëse të dëshmitareve që kanë përjetuar dhunën seksuale, gjatë luftës në Kosovë.
" - Edhe sot e kësaj dite nuk e di se sa ditë kishin kaluar kur policia serbe na hyri brenda. Aq shumë u frikësova por, shpëtova, nuk na ndodhi asgjë. Na i dhanë tre minuta të dilnim nga shtëpia dhe dolëm. Kur arritëm në Pejë, policia na ndaloj përsëri, na kërkuan nga 50 DM për person nëse donim të vazhdonim për në Shqipëri. Ne kishim vetëm 200 DM, e ishim nëntë veta. "Kush do të shpëtonte? Cilin do ta ndalnin? Pyesnim në heshtje, ndërkaq babai ua dorëzoi paratë dhe u tregoi se ishim nëntë veta. Na shikuan dhe pasi ia morën nënës dhe mua unazat nga duart, na lëshuan. Në dalje të Pejës, na ndali grupi tjetër i policisë. Edhe ata na kërkuan para dhe nuk do të na lëshonin sikur një familje nga Gllogjani të mos i jepte 200 DM. U nisëm. Disa metra më larg, policia kishte ndalur kolonën që ishte e gjatë deri në kufi. Ata ishin banorë nga fshatrat e Ferizajt, Suharekës, Rahovecit, Prizrenit, Malishevës e ndoshta edhe të Gjakovës. Policia nuk lëshonte asnjeri pa e kontrolluar dhe ne duhej të prisnim në rrugë. Edhe pse nuk bënte shumë vapë, ishte vështirë të rrije e të prisje aty. Nuk kishim as ujë e as bukë. Policia nuk na lejonte as të ktheheshim por as të vazhdonim, madje as të uleshim. Ashtu në këmbë, të mbështetur në njëri-tjetrin, qëndruam mbi 11 orë. Kishte rënë errësira e parë kur kolona filloi të lëvizë ngadalë. Ishim aq të lodhur, por, megjithatë, shpresonim se do të arrinim të gjallë në Shqipëri. Rruga ishte e gjatë por, ajo u vështirësua edhe më shumë kur gjatë natës filloi një shi i madh dhe mëngjesi gdhiu i ftohtë. Fëmijët të lodhur filluan të qanin, e policët ishin egërsuar shumë. Si dukej, ata kishin humbur shokët e tyre diku. Kishim edhe dy-tri kilometra për të arritur deri te kufiri, por në momentin kur arritëm tek vendi ku bëhej pengesa për vazhdimin e rrugës, policët filluan të na kontrollonin sërish. Na preknin trupit, kurse meshkujt i rrihnin dhe i detyronin t'u jepnin para. Ne nuk kishim, edhe herën e fundit na ndihmuan të tjerët. Kur vëllanë tim 12 vjeçar filluan ta rrihnin, unë i ika nga dora e policit që po më kontrollonte dhe u hodha mbi vëllanë. Doja që, së paku, një të rame t'ia marrë unë. Është vëllai i vetëm pas nëntë motrave. Polici që po e rrihte më tërhoqi për flokët e gjata dhe më drejtoi kah kryepolici i cili, në prani të kolonës, me majën e thikës filloi t'mi zhvishte rrobat. Mi hoqi të gjitha në prani të babës, nënës, vëllait,burrit dhe fëmijëve të mi. Fëmijët filluan të qajnë me të madhe, por aq u bënte atyre. Kryepolici më tërhoqi deri tek strehimorja e tyre e improvizuar që ishte në afërsi të rrugës. Më hodhën mbi tavolinë, mi lidhën duart për të, që siç duket e kishin përgatitur enkas për t'i dhunuar femrat shqiptare. E di që pasi filloi të më çnderojë, me kokë i rashë tavolinës, kurse ata qeshnin e flisnin sikur të ishin në spektakël. Tërë këtë e shihnin edhe të afërmit e mi, e shihnin edhe qytetarët e tjerë dhe tërë kolona e gjatë që po lëvizte andej. Si në ëndërr më kujtohet kur i urdhëruan familjarët e mi të ecin. Edhe sot më tingëllon në kokë zëri i nënës sime, e cila nuk kishte dashur të vazhdojë pa mua. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku është. Më kujtohet se përveç dhunimit, më goditën disa herë me kondak në kokë. Nuk më kujtohet si, dhe kush më ka dërguar deri në Kukës, por e di se aty kam dëgjuar edhe shumë klithma, dhe shumë gjëmë, shumë thirrje për ndihmë nga shumë femra të tjera që i dhunuan. Në spitalin e Tiranës qëndrova e shtrirë 19 ditë. Gjashtë ditë me radhë më kishte qëndruar burri tek koka, e unë nuk e njihja. Nga goditja në kokë kisha harruar çdo gjë. Vetëm zëri i bijës sime 5 vjeçare që më thërriste e qante pse nuk i flisja, më nxori nga ajo komë, që edhe mjekët u befasuan. Sot nuk kam fuqi të shkojë e të jetojë në vendin ku kam jetuar më herët me burrin dhe fëmijët. Nuk mund të kthehem as në vendlindjen time, sepse nuk kam fuqi. Më vjen turp për atë që më ka ndodhur. E kanë parë edhe qindra bashkëfshatarë të mi. Unë kam pasur fatin të më kuptojë burri, por jetoj me dy plagë që nuk do të më shërohen kurrë. Jetoj me plagën që ma morën nënën dhe me plagën e dhunimit, që është më e rëndë se vdekja", - theksoi, në fund të rrëfimit, D. R. nga një fshat i Pejës.
Bedria jeton e vetmuar, dhe çdo ditë heq të zitë e ullirit për të siguruar kafshatën e gojës. Banesa ku ishte strehuar ajo ishte një banesë e improvizuar mbi kulmin e një ndërtese në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Banesa gjysmë e errët, me mobile shumë të vjetra, toka pa mbulojë dhe banjo, e parregulluar, ngjanin me shtëpitë e vjetra të fshatrave rurale në shumë komuna të varfra në Kosovë. Në një nga dollapët e paktë që kishte improvizuar në afërsi të shtratit, ajo kishte lënë rrobat e saj të pakta, disa libra, dhe pothuajse hapësirën më të madhe e kishte lënë për disa fotografi që ishin gjysmë të grisura dhe të përlyera. Ajo që binte në sy mbi të gjitha, ishte një nga fotografitë e saj gjysmë e djegur të cilën ajo e kishte futur në një kornizë të vlefshme. Fytyra e saj ndonëse e bukur, që larg të jepte të kuptosh se ishte e mërzitur. Edhe gjatë përshëndetjes dhe fjalëve të zakonshme ajo e ulte shikimin dhe mënyra se si vështronte njerëzit të jepte të kuptosh, se ajo ishte e shqetësuar. Bedria derisa po i largonte mbulojat e shtratit, dhe bënte një vend të ulej, lëshoi një ofshamë dhe fshehurazi kafshoi buzën sikur donte të fshihte diçka . U ul në shtratin e vjetër që mezi i ngjante një shtrati dhe pa pasur nevojë t’a pyesësh asgjë me sytë e përlotur foli: E sheh këtë banesë? Këtu jetoj tani dy vite. Do të pajtohesha për skamjen dhe mobilet e vjetra, sikur të kisha një çmim më të lirë për qiranë. Unë për këtë qymez detyrohem të paguaj çdo muaj nga 100 DM . Kështu kur nuk bie shi, nuk duket edhe aq keq. Po kur bie shi, detyrohem ta tërheq shtratin në mes të dhomës, dhe në katër vende në këtë dhomë, nëse mund ta quaj dhomë, detyrohem të vendosi enë që ta presin shiun. Kështu e kisha edhe gjatë gjithë dimrit të kaluar. Merre me mend si mund të ngrohet njeriu në këtë banesë, kur ka vrima, dhe të ftohtit depërton brenda. Zot si po qëndroj....po ky nuk është halli im i vetëm. Nuk vuaj pse nuk kam banesë më të mirë, pse jetoj me 240 DM aq i marrë nga puna si infermiere, dhe ka raste kur detyrohem ta ha bukën thatë, edhe pa kripë.....halli im është i madh, shumë i madh, e unë duhet të bëhem si të gjithë, të punoj, të jetoj dhe aktroj për të mos u dhënë mundësinë njerëzve të kënaqen me fatkeqësinë time“. Deshi të vazhdoj të flas edhe më Bedria, por me duar mbuloi fytyrën e saj të bukur që sa vinte e zverdhej edhe më dhe ashtu në heshtje qau për disa minuta. Qante dhe herë pas here shtrëngonte duart e saj që i dridheshin dhe ajo përpiqej ti fshihte duke i shtrënguar në mes vete, e herë duke i futur në mes të gjunjëve që i dridheshin. Në dhomën gjysmë të errët dënesja e saj bëhej edhe më e rëndë dhe lotët që i bashkoheshin në mjekër sikur tërë botën e kthenin në epokën e rëndë të luftës, e cila ende nuk ka marrë fund për të gjithë njerëzit. Bedria shikoi disa sekonda kah fotografia në kornizë, e mori atë në dorë dhe pasi mori frymë thellë tha “I sheh këta njerëz, janë njerëzit e mi më të dashur që kam pasur. Është babai, nëna, vëllai im i vetëm dhe unë. Janë këto ditët kur unë isha fëmijë, kur nuk kuptoja se çka po ndodhte rreth meje, kur unë me vëllanë merresha me lojërat fëmijërore, dhe nuk kuptoja pse babai e kishte të rëndësishme ti dëgjonte lajmet, të dinte çka po ndodhte rreth nesh dhe me ne. Ai e dinte se koha që po vinte, për ne ishte e tmerrshme, se lufta ishte e pashmangshme dhe, se për liri duhej sakrifica dhe që për të ardhmen duhej punuar. E unë si çdo fëmijë përpiqesha të kënaqesha me ato që kisha, pa e kuptuar se policët që endeshin e plaçkitnin çdo ditë në qytetin tonë, një ditë do të jenë ata që do të ma marrin lumturinë mua, dhe njerëzve të qytetit tim. Babai nganjëherë si në mahi na thoshte: nëse mua më ndodh diçka apo ndonjërit nga ne, ata që mbesin duhet të vazhdojnë të jetojnë me lirinë që vjen, sepse liria do sakrifica, liria do gjak dhe liria i ka rrënjët në gjak. Unë ato i shihja si fjalë të urta të popullit pa e kuptuar se ato ishin udhërrëfim i vërtetë dhe pa ditur ta kuptoj e pa menduar se ato ditë ishin shumë, shumë afër. Kur serbët bënë masakër mbi Jasharajt, babai na tha “ kjo është ajo që jam përpjekur të ua sqaroj me vite , serbët janë të tillë, ata për ta mbajtur Kosovën të pushtuar, bëjnë çdo gjë dhe po i njëjti fat do ti ndjek edhe shumë familje kosovare. Derisa të mbaroj lufta, Kosovës do ti bëhen edhe shumë familje dëshmore, do ti kushtoj shumë shtrenjtë liria, por ajo duhet të vij me çdo çmim, sepse është koha e fundit që ne kosovarët duhet të zgjohemi dhe ta marrim pushkën e lirisë në dorë. Atëherë e kuptova se babai fliste tërë kohën për një luftë të afërt, por që edhe unë si të gjithë fëmijët, frikën e mbaja por nuk guxoja të besoja se ajo do të më ndodhte mua që isha rritur e përkëdhelur nga familja dhe një ditë do të mbetesha e vetmuar, krejt e vetmuar pa askënd në këtë botë… .vaji prapë ia ndali fjalët në fyt, këtë herë ajo u ngrit në këmbë dhe sillej nëpër dhomë e trishtuar duke i fërkuar duart mes tyre . Pas masakrës së Prekazit, babai nuk e fshihte më nga ne fëmijët se ishte i lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe se po punonte me komandën e tyre. Kishte edhe me nga dhjetë ditë që nuk vinte në shtëpi. Kur vinte nuk i hiqeshim nga prehri, edhe pse as unë e as vëllai im nuk ishim më fëmijë. Në shtator u vra dhe botën e shihja si të rrënuar, si ferri vetë. Atë kohë mendoja se nuk ka asgjë në botë që do të më bënte më të mërzitur. Muaj më vonë njerëzit e UÇK-së, na u lutën që ta lëshojmë shtëpinë dhe të shkojmë në një vend më të sigurt, por nëna tha “ do të rrimë të presim edhe ne, le të bëhet me ne çka të bëhet me gjithë Gjakovën” dhe aty mbetëm. Kur filluan bombardimet dhe filluan ti vrasin njerëzit, nëna nuk fliste asgjë , ndoshta atëherë e kuptoi pse duhej të vendoseshim në vend më të sigurt. Ditën e katërt kur ushtarët serbë na erdhën në shtëpi pushkatuan nënën dhe vëllanë. Mua më morën me vete, më dhunuan dhe trupin tim e masakruan për së gjalli, e dogjën me cigare sa më nuk kam forcë ta kujtoj. Sa herë e zbuloj trupin tim dhe shoh gjurmët e dhunimit sikur vdes diçka në mua dhe tani jeta ime është shkatërruar përgjithmonë. Tani, jetoj pa asnjë ndihmë edhe pse do të duhej dikush të mendonte për mua.
Kur ushtarët e sollën H.N. në spitalin ushtarak, ajo ishte në mes jetës dhe vdekjes. Ndonëse mjekët ushtarakë nuk dinin si ta ndihmonin, pasi që ajo ishte e dhunuar, ata ftuan një mjeke femër që ishte në zonën tjetër. E tëra ç`po bënìn ata ishte se po i jepnin gjak, ndonëse gjaku nga plagët vazhdonte t'i rridhte. Mjekët donin ta shpëtonin me çdo kusht. Kur erdhi mjekja, ndonëse gjinekologe e padiplomuar, vendosi që edhe në ato kushte çfarë ishin, ta bënte intervenimin kirurgjik. Mjekja tjetër ndërkaq gjinekologe e diplomuar, kur i pa plagët e vajzës, i tha: "mos e mundo, lëre të vdes. E sheh se kanë filluar t'i dalin organet jashtë, unë nuk do t'i hyja një pune të tillë". Mjekja e re, e shqetësuar, fshiu djersët dhe iu drejtua koleges: "Do t'më ndihmosh apo jo". "Unë mendoj se është rrezik, ajo mund të vdesë", foli prapë mjekja. Por, megjithatë, filloi të përgatitet. "Ajo edhe ashtu do të vdesë, nëse nuk qepet shumë shpejtë, prandaj, të lutem më ndihmo, mos të humbim kohë", - foli mjekja e re e cila kërkoi ndihmën nga infermieret. Të gjithë në atë zonë tani ishin të informuar për atë që po ndodhte. Mjekja e re ishte mike gati me të gjithë, por ajo që e bënte të çmohej më tepër nga të gjithë ishte këmbëngulësia e saj. Minutat ishin të gjata, jo vetëm për H.N. por edhe për mjeken, edhe për ndihmësit... Më e rënda ishte se kur po mbushej një orë punë në atë sallë operacioni, mbi atë zonë filluan granatimet. Tani mund të vinte ndonjë i plagosur. Salla e vetme ndërkaq, ishte e zënë. Granatimet vazhdonin, kurse ushtarët filluan mbrojtjen. Dy granata ranë në afërsi të spitalit. Mjekja e re për një moment u tremb, por prapë vazhdoi punën. Çdo sekondë ishte luftë në shumë fronte për të dhe për të tjerët. Ajo pa se mitra e vajzës ishte e shqyer dhe se në organet gjenitale i kishin futur rërë, andaj vështirë e kishte ta qepte, pa e pastruar mirë çdo pjesë të plagës. Kur e përfundoi qepjen e brendshme, asaj iu duk se puna përfundoi, por po aq u shqetësua kur pa se edhe në stomak kishte një plagë tjetër. Ndonëse e shqetësuar, mjekja përfundoi punën me sukses. Ajo edhe pas operacionit nuk doli nga aty. Vazhdoi t'i qëndronte te koka. Pasi e vështroi disa minuta, mjekja e re prapë e zbuloi trupin e saj dhe filloi t'ia pastronte plagët tjera. Ajo filloi nga këmbët e gërvishtura, pastaj u ndal në gjoks, ku në mes të dy gjinjve kishte të vizatuar, me maje thike, kryqin serb dhe kur po pastronte aty, vërejti një copë xhami. E hoqi me kujdes, e pastroi mirë dhe i vuri sipër një fashë. Pastaj prapë ia mbuloi trupin. Dhe, kur në ditarin e saj filloi të shkruante diçka, H.N. me gjithë zërin e humbur, filloi të gjëmonte. "Mos lëviz të lutem, je e operuar", - i tha mjekja e re, e cila nuk e ndante shikimin e trishtuar nga sytë e saj të zverdhur. Pse, - pyeti ajo dhe dy lot i ranë nga sytë. “Ke qenë në rrezik, por tani gjithçka ka përfunduar. Të duhet forca, ndaj të lutem, mos u mundo t'i kujtosh gjërat që të kanë lënduar, tani vetëm mbylli sytë dhe përpiqu të pushosh", - i foli mjekja, duke menduar se ajo nuk e dinte që ishte operuar. "Pse ma bëre këtë, pse më shpëtove? Të lutem më le të vdes! Të lutem, ma bëj këtë shërbim! Të lutem…", - i tha ajo dhe lotët vazhdonin t'i binin në flokë, e buza i dridhej pandërprerë. Dëgjo: mos mendo por vetëm pusho tani,- i tha mjekja, ndërsa ajo, duke kafshuar buzën, tundi kokën në shenjë mohimi.
Disa ditë pasi filluan bombardimet burri im më tha: "Grua, njerëzit po vijnë nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe po shkojnë në Maqedoni, e ne po rrimë këtu. Po sikur të na zënë të gjallë policët". E shikoja dhe sikur e parandieja fatkeqësinë që do vinte. Jeta më dukej si diçka e përfunduar dhe e shkuar. I tërë trupi filloi të më dridhej. I përgatita fëmijët, mora ca ushqime me vete dhe kur po dilnim nga dera e oborrit, shikova edhe një herë nga shtëpia dhe i thashë burrit: "Diçka më të vështirë nuk kam përjetuar, a do të mund të kthehemi prapë në këtë shtëpi, t'i kthehemi jetës sonë” . Ai më shikoi, por nuk m'u përgjigj, ndërsa unë qaja në heshtje që të mos i shqetësoja fëmijët. Pak metra para se t'i bashkangjitemi kolonës që vinte nga mesi i Kosovës, na ndaloi ushtria e policia serbe dhe e nxorën burrin nga vetura, duke e goditur me kondak të pushkës. Fëmijët filluan të qajnë, qaja edhe unë. Por, kur m'u afruan mua e më nxorën nga vetura, fëmijët filluan të qajnë edhe më shumë. Mua nuk më goditnin, por më vështronin dhe silleshin vërdallë rreth meje. Pas pak e thirrën dikë nga larg që të vinte. "E ke një peshk", - i thanë. Nuk vonoi as dy minuta dhe erdhi një me mjekër të gjatë dhe me sy të skuqur, të cilit, që nga larg, i vinte era raki. Ai, duke e folur një shqipe të bastarduar, më tha: "Ti je shqiptarja më e bukur që kam parë dhe do të jesh shqiptarja më e bukur që do ta kem në shtrat". Unë fillova ti lutem, qaja dhe nuk i ndaja sytë nga burri, ai ishte para meje. Aty i kisha edhe fëmijët. "I dua ditët kur më luten e më përulen shqiptarët, më vjen çdo gjë si ëmbëlsirë. Ti më je ëmbëlsira më e ëmbël që kam pasur nga shqiptarët". "Kjo është mësuese, ndaj ta shohim çka i mëson shqiptarët", - i foli një tjetër. "Aq më mirë. Merre kamerën se më nuk mund të pres. Dua ta kem menjëherë", - foli ai me mjekër dhe filloi t'i zhveshë pantallonat. Dy nga ata m'i mbanin duart, kurse ai filloi të më zhveshë. "Do të jap para dhe ari, vetëm këtë mos e bëni", - u thashë unë dhe njëri ma lëshoi dorën. "Shko dhe sillmi", -tha, e unë shkova nga vetura t'i sjell. I mora dhe ua dhashë, por qëndrimi i tyre nuk ndryshoi. As nuk ma lëshuan burrin e as mua. Ai që e mori kamerën iu tha të startonin. Burri dridhej i tëri. Njëri prej tyre filloi të më zhveshë e të tjerët qeshnin rreth meje. Kur ai filloi të më çnderojë, burri provoi t'u ikë e t'më ndihmojë, por një tjetër, që kishte qenë pas shpine, me automatik shkrepi në trupin e tij tërë karikatorin e automatikut. Aq shumë klitha, klithën edhe fëmijët, provoja t'u ik, të bëj diçka, por ata vetëm argëtoheshin me përpjekjen time. Nga vetura dolën edhe fëmijët. Ata u hodhën mbi trupin e përgjakur të babait të tyre, e mua më çnderonin vetëm disa metra më tej. Nuk ka fjalë, e as shprehje ta përshkruaj atë dhimbje e atë nënçmim që ndjeja unë në ato çaste. Disa minuta më vonë, ai që mbante kamerën, e drejtoi kah fëmijët mbi babanë e vrarë, për t'i regjistruar lotët e vajin e tyre aty. "Edhe kjo na duhet, do të jetë skenë e mrekullueshme për stimulim të të rinjve", - fliste njëri. Më vonë, fëmijët i futën në veturën e dikujt, kurse veturën tonë e morën në oborrin ku ishin strehuar. Me mua lozën edhe disa të tjerë dhe së fundi më mbyllën në bodrumin e një shtëpie aty afër. Aty më mbajtën disa ditë, e kisha humbur edhe drejtpeshimin, edhe fuqinë. Nuk ngjaja në një njeri normal,më çnderuan prapë, nuk më kujtohet sa, por një gjë që e di, është se kur më kanë hedhur në rrugë, më mori një familje, e cila më ndihmoi shumë. Kurrë nuk ia harroj gruas që m'i lante plagë t, kur unë flisja për dhunimin, ajo më ngushëllonte. Ajo më ngushëllonte edhe për fëmijët, më premtonte se do t'i gjente, edhe kur nuk dihej a i kisha fëmijët e gjallë. Ajo familje nga Ferizaj më ka përkrahur e më ka ndihmuar shumë. Ata më ndihmuan edhe kur i gjeta fëmijët, edhe kur u nisëm për në Kosovë. Në oborr gjeta vetëm rrënojat, dhe tani jam edhe pa burrë, edhe pa shtëpi, edhe e çnderuar. Në jetë më mbajnë vetëm fëmijët", - tha me lot në sy mësuesja nga rrethi i Kaçanikut.
Luljeta Selimi lindi më 19 .09. 1969, në Prishtinë. Ka mbaruar shkollën e mesme dhe fakultetin e filologjisë – gjuhë dhe letërsi shqipe, fakultetin e gazetarisë dhe kurse të mjekësisë. Pas luftës ka kryer specializimin në traumatologji me profesorë të Unversitetit të Trierit, gjthashtu ka kryer shumë kurse për psikiatri, psikologji dhe është e pajisur me diploma dhe certifikata përkatëse. Punon si punëtore sociale, koordinatore e disa projekteve dhe është drejtoreshë e organizatës humanitare “Jeta në Kastriot“, e cila ndihmon viktimat e luftës, nënat e traumatizuara dhe fëmijët e tyre. Ka punuar si gazetare, zëdhënëse në Entin e Statistikave të Kosovës, ndërsa tani punon në statistika të shëndetësisë, përkatësisht në Agjencinë e Statistikave të Kosovës. Shkruan poezi, tregime, ese. Ka marrë shumë çmime të rëndësishme. Po ashtu është e angazhuar dhe angazhohet në krijimin e grupeve letrare në mënyrë që femrave, fëmijëve dhe artdashësve t’u jepet mundësia ta shprehin talentin e tyre.
Deri më tash ka botuar:
“Lindje pa emër”, poezi
“Tre muajt e Anitës”, roman
“Rrëfime të femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë “, publicistikë
“Vajza fantazmë“, roman
“Djaloshi me zemër të madhe“, tregime për fëmijë
Pse u detyrova t’i botoj rrëfimet e femrave të dhunuara? Një nga arsyet kryesore është se e vërteta mbi këtë kapitull mbase më të dhimbshmin dhe më të ndjeshmin në tërë periudhën e luftës së fundit në Kosovë, po mbetet nën hije dhe se kjo e vërtetë duhet të plasohet në opinion sado e dhimbshme dhe e rëndë të jetë ajo. Zaten, e vërteta gjithmonë është e dhimbshme dhe e rëndë, e posaçërisht kur flitet për plagën më të madhe të çdo lufte, për dhunimet. Dhunimet ndodhin në çdo luftë dhe çdokund konsiderohen si krimi më i rëndë i saj. Edhe në të tri luftërat e fundit që ndodhën në rajon, barbarët serbë ushtruan dhunime të papara, në Kroaci, Bosnje dhe së fundi edhe në Kosovë. Pra, edhe në Kosovë përveç vrasjeve, dëbimeve, djegieve, rrënimeve,plaçkitjeve, kidnapimeve e burgosjeve ata bënë edhe dhunime. Dhunimet janë të rënda për çdo popull në botë e posaçërisht për popullin tonë, sepse morali është pjesa më e ndjeshme e qenies së tij. Gjatë punës sime në terren, kam parë nga afër se sa të rënda janë përjetimet e të dhunuarave, sa e rëndë është kjo për familjet e tyre, për rrethin dhe për çdo shqiptar.
OJQ Jeta në Kastriot | Design by europa-design.com