Cilat janë shifrat e vrasjeve dhe dhunimeve?

Në Kosovë, numri i femrave të dhunuara sipas statistikave kap shifra të ndryshme varësisht nga organizatat e ndryshme të cilat kanë bërë hulumtime në këtë drejtim. Ato shifra sillen nga dymijë deri në dhjetëra mijëra!

Unë, gjatë punës sime me Organizatën Joqeveritare “Jeta në Kastriot” mund të flas për 2018 femra të dhunuara për të cilat përveç dëshmive gojore, videoxhirimeve, dëshmive me shkrim dhe fotografive kemi edhe raportet e mjekëve: gjinekologë, infektologë, neuropsikiatër, si dhe raportet mujore të të gjithave së bashku për ta konstatuar gjendjen e tyre momentale si dhe diagnozat e secilës veç e veç bashkë me terapinë e përdorur. Mosha e këtyre femrave është kryesisht e re duke filluar nga 14 e deri të 44 vjeç.

Përveç se i vizitojmë së paku një herë në muaj ne dhe kontrollojmë gjendjen momentale të tyre, vazhdimisht kujdesemi që 209 prej tyre të cilat janë në gjendje më të rëndë shëndetësore t`iu sigurojmë barna dhe ilaçe të nevojshme. Po ashtu, sa herë na ipet rasti ushtrojmë ndikimin tonë mbi organizatat e ndryshme qofshin ato të huaja apo vendase, qeveritare apo joqeveritare në mënyrë që të kuptohet domosdoshmëria e ndihmës dhe trajtimit të kësaj kategorie të braktisur nga shoqëria.

Prej rreth 24.000 të vrarëve gjatë luftës në Kosovë 31.2 % janë femra të të gjitha moshave dhe në bazë të të dhënave tona vetëm 1,3 % nga numri i përgjithshëm kanë qenë në moshë të shtyer. Ndërsa, tek ato që kanë përjetuar trauma të të gjitha llojeve, problemet e shëndetit mental janë tejet aktuale. Sipas hulumtimeve tona të bëra pas luftës, del se 62 % të të hulumtuarave kanë qenë buzë vdekjes, 49 % viktima të torturave apo abuzimit, 42 % të ndarë nga familjet e tyre, 26 % kanë përjetuar vrasjen e ndonjë anëtari të familjes apo farefisit, 10 % kanë qenë të burgosur dhe 4 % të abuzuar seksualisht.

OJQ-ja jonë ka ndihmuar aq sa ka patur mundësi megjithatë jemi të vetëdijshëm se nuk kemi mundur as për së afërmi t´i përmbushim nevojat e të dhunuarave. Projektet tona për të bërë më tepër në këtë drejtim shpesh injorohen prandaj edhe njëherë shfrytëzojmë rastin t`i thërrasim të gjitha shoqatat dhe individët që kanë mundësi dhe vullnet të mirë që në të gjitha format e mundshme t`iu dalin në ndihmë këtyre femrave në mënyrë që t`ua rikthejmë kuptimin e jetës me gjithë bukurinë e saj. Më duhet të them se përveç punës sime, një ndihmesë shumë të madhe e ka dhënë edhe bashkëdrejtuesja Myrvete Morina si dhe stafi ynë mjekësor dhe profesional. Gjatë punës sime në teren kam parë nga afėr gjendjen e rëndë shpirtërore të të dhunuarave! Ato shpesh, duke ngurruar të tregojnë, i ndryjnë në shpirt brengat dhe vuajtjet derisa u keqësohet aq shumë gjendja sa që edhe ndihma dhe trajtimi mjekësor është i vështirë. Prandaj, ato duhet hapur zemrën sepse në këtë mënyrë më së shumti e shërojnë vetveten por edhe ndihmojnë të tjerët që t`iu ofrojnë ndihmë atyre. Gjatë punës sonë me këto femra, por edhe gjatë punës sime si gazetare kam mundur të konstatoj se përveç femrave të dhunuara dhe atyre të vrara ekziston edhe një numër i madh i atyre që konsiderohen të zhdukura!. Fatkeqësisht të dhënat flasin se shumica e femrave të vrara së pari janë dhunuar e më pas janë vrarë, prandaj ndërkombëtarët kur gjykojnë për krimet e luftës në Kosovë duhet ta kenë parasysh se plagët e vdekjes së shumicës së femrave bartin me vete edhe plagët e dhunimit. Prandaj gjenocidi dhe dhuna e ushtruar mbi popullin e Kosovës ka përmasa shumë më të mëdha sesa që japin të dhënat dhe hulumtimet tona.

OJQ Jeta në Kastriot | Design by europa-design.com